11 vite nga tragjedia, Report Tv në Gërdec, familjarët homazhe te memoriali i 26 viktimave

By : Report TV

Published On: 2019-03-15

0 Views

18:20

Lotët ende nuk janë tharë në sytë e tyre. Nuk kanë lënë në harresë një nga ditët më të dhimbshme të jetës së tyre. Edhe 11 vite më pas, plagët janë të hapura për tragjedinë e Gërdecit, me 26 jetë të humbura dhe dhjetra të plagosur. Kërkojnë ende drejtësi.

Në një ritual të përvitshëm, njëjtë si 11 vjet më parë, banorë të Gërdecit në Bashkinë e Vorës, kanë përkujtuar të afërmit e tyre të cilët i humbën në një tragjedi që e quajnë krim shtetëror.

Shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, shkaktoi 26 jetë të humbura në shkurtin e 2008-ës. Këtë vit, shoqërues të familjarëve në homazhet në kujtim të të dashurve të zemrës, ishin vetëm mediat. Asnjë përfaqësues nga shteti.

Zamira Durdaj humbi djalin e saj 6 vjeçar, Erisonin. Ndihet e pashpresë nga drejtësia dhe tregon para mediave kalvarin për të kërkuar të drejtën e tyre.

"Nuk është hetuar fare kjo çështje, vetëm janë tallur me ne. Të braktisur jemi të gjithë ne. Kush na ka mbështetur ne, ne mbështesim njëri-tjetrin. Është një vepër korruptive, falsifikimi i firmës amerikane që u rrëzua nga gjykata e shkallës së parë, mbas 5 vjetësh betejë pranimi i gjykimit të shkurtuar, mbyllja në Gjykatën e Lartë, përgjigjja nga Strasburgu nuk vjen kurrë, ku është përparësia ime? E kanë çuar në Strasburg për proces të parregullt, ne si viktima nuk jemi palë në proces, është prokuroria, por ajo përfaqëson shtetin, jo ne. nuk pres asgjë nga politika. e pres nga sistemi i drejtësisë, e pres nga prokuroria e përgjithshme" u shpreh zonja Durdaj.

Familjarë të tjerë thonë se nuk do të ndalen përpara asgjëje derisa përgjegjësit të jenë pas hekurave të qelisë. Për ta, nuk është një aksident teknologjik, pasi banorët e zonës punonin me mjete rrethanore. E quan një krim shtetëror prandaj kanë hequr edhe pllakatën e vënë për përkujtimin e të ndjerëve, ku shkruhej: aksident teknologjik.

Trending Videos - 17 May, 2024

RELATED VIDEOS

Recent Search - May 17, 2024